Pas një starti të shkëlqyer në sezonin e ri të La Ligës, ku Barcelona ka grumbulluar 12 pikë në 4 ndeshje dhe ka shënuar 17 gola duke pësuar vetëm 2, vëmendja në kampin katalanas është përqendruar te menaxhimi i marrëdhënieve me rivalin e përjetshëm, Real Madrid. Së fundmi, Hansi Flick vendosi një rekord historik për klubin duke arritur 63 fitore në 80 ndeshjet e tij të para si trajner në kampionatin spanjoll, duke tejkaluar Luis Enriquen (62 fitore) dhe Pep Guardiolën (61 fitore).
Megjithatë, rikthimi i Jose Mourinhos në stolin e Real Madridit ka sjellë një direktivë të qartë nga drejtuesit e Barcelonës për trajnerin gjerman: moskomentimi i figurës së portugezit apo i ekipit madrilen. Sipas raportimeve, drejtuesit kanë kujtuar incidentet e së shkuarës, përfshirë përplasjet verbale me Pep Guardiolën dhe incidentin me Tito Vilanovën, me synim parandalimin e një klime të ngjashme polemikash.
Flick ka treguar tashmë se i përmbahet këtij udhëzimi, duke refuzuar t'u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve mbi këtë temë përpara ndeshjes kundër Elches. Tekniku gjerman zgjodhi një qëndrim neutral, duke thënë: “A luajmë nesër kundër Real Madridit? Jo? Atëherë më bëni pyetje për Elchen”. Kjo qasje pritet të vazhdojë në të gjitha konferencat e ardhshme për shtyp, me qëllim që klubi të mos japë hapësirë për provokime apo përshkallëzim të rivalitetit verbal përpara përballjeve direkte, të njohura si “El Clasico”.