Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën kombëtare kundër kryeministrit Edi Rama para kryeministrisë.
Sipas Bardhit, Edi Rama pengon integrimin europian të Shqipërisë sepse mbron politikisht korrupsionin. Ai e cilësoi kryeministrin të izoluar dhe në përplasje me drejtësinë.
"Edi Rama po pengon integrimin europian sepse po mbron politikisht korrupsionin. Edi Rama është izoluar. Në përplasje me drejtësinë. Rezistenca jonë nuk ndalet deri në largimin e tij. Deri në qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Detyra jonë është ta rrëzojmë. PROTESTO", shkroi Bardhi.
Thirrja shoqërohet me një video që, sipas tij, zbulon mashtrimin e kryeministrit për integrimin europian. Në video, Rama shprehet se "PS do i sigurojë shqiptarëve pasaportën evropiane më 2030-tën".
Ndërsa në një deklaratë disa muaj më vonë, Rama u shpreh: "Jo të gjithë mendojnë si unë në vendet që duan të hyjnë. Disa thonë: 'Jo po pse ne t’i marrim të gjitha'. Po mo po, t’i marrësh të gjitha por problemi është a i merr dot apo jo?!".