Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka pritur në një takim zyrtar drejtorin e përgjithshëm të Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut, Boban Nikollovski, dhe zëvendësdrejtorin Mustafa Dauti. Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e reformave doganore ndërmjet dy vendeve.
Agron Llugaliu vlerësoi punën e përbashkët, duke veçuar reformën për deklarimin para mbërritjes si një proces kërkues, por që ka dhënë rezultate shumë të kënaqshme. Ai theksoi se shkëmbimi i informacionit dhe përvojave ndërmjet dy administratave është thelbësor për përparimin e mëtejshëm në këtë sektor. Në fjalën e tij, Llugaliu cilësoi si histori suksesi funksionimin e pikave të përbashkëta të kontrollit të njohura si One Stop Shop, konkretisht në vendkalimet kufitare Hani i Elezit-Bllacë dhe Glloboçicë-Jazhincë.
Nga ana e tij, Boban Nikollovski shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin ndërmjet dy palëve. Ai vlerësoi lart punën e realizuar nga Dogana e Kosovës dhe ritheksoi se suksesi i përbashkët është i rëndësishëm për efikasitetin e të dyja administratave doganore. Palët u zotuan që ky bashkëpunim të shërbejë si bazë për një agjendë të gjerë zhvillimi në të ardhmen, duke u mbështetur në bashkëpunimin tradicional ekzistues.