Bashkimi Evropian ka hequr të gjitha sanksionet e vendosura ndaj Kosovës në qershor 2023, duke përfshirë pezullimin e ndihmës financiare dhe takimeve dypalëshe me Qeverinë e Kosovës. Ky vendim u bë i ditur më 17 mars 2026, gjatë një debate në Parlamentin Evropian për raportin mbi Kosovën.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi në rrjetet sociale duke përshëndetur vendimin si arritje të rëndësishme për Kosovën. Ai shkroi: “Një vendim i drejtë i BE-së për Kosovën. Të dashur miq, Bashkimi Europian hoqi të gjitha sanksionet për Kosovën. Partia Demokratike përshëndet Kosovën për këtë arritje të re e të rëndësishme. PD shton se ky vendim është një goditje e rëndë dhe e merituar për dyshen famëzezë të Ballkanit Rama – Vuçiç dhe qëndrimet e tyre armiqësore ndaj Kosovës!”.
Në Parlamentin Evropian, përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Jiri Plecity, konfirmoi heqjen e masave financiare. Ai u shpreh: “Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”.
Raportuesi për Kosovën, Riho Terras, shprehu keqardhje për vitin e humbur në 2025 për shkak të ngërçit politik, që kishte pasoja në procesin reformues.