Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, u shpreh para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës se partia e tij nuk ka zhvilluar asnjë bisedim lidhur me ndarjen e pozitave institucionale. Ai nënvizoi se qëndrimi i PDK-së mbetet konsistent dhe i pandryshuar.
Sipas Hamzës, në seancën e sotme pritet të zgjidhet kryetari ose kryetarja e Kuvendit, nënkryetarët, si dhe të jepet betimi, duke theksuar se nuk sheh arsye që kjo seancë të mos ketë mbarëvajtje. Ai shtoi se partisë me numrin më të madh të ulëseve i takon përgjegjësia për të kryer detyrat e veta dhe për të proceduar tutje në krijimin e institucioneve.
“Ne kemi shkuar në zgjedhje dhe kemi kërkuar votën e qytetarëve me një program për ekonominë, drejtësinë dhe energjinë. Nëse nuk kemi dakordim për këto prioritete, atëherë është absurde të flasim për tema të tjera”, deklaroi ai. Hamza bëri të ditur se deri më tani askush nuk ka kërkuar mbështetjen e PDK-së për ndonjë proces të caktuar. Sa i përket çështjes së nënkryetarëve të Kuvendit, ai sqaroi se si parti e dytë për nga numri i ulëseve, PDK do të mbështesë kandidatin e propozuar nga vetë partia për atë pozitë.