Gjyqësori belg ka lëshuar një urdhërarrest evropian për ish-Komisionerin Evropian për Migracionin, Dimitris Avramopoulos, si pjesë e hetimeve për skandalin e korrupsionit "Qatargate". Hetimi përqendrohet në dyshimet se vende si Katari, Maroku dhe Mauritania kanë ndikuar në vendimmarrjen e Parlamentit Evropian përmes pagesave dhe dhuratave të paligjshme për zyrtarë dhe ish-zyrtarë.
Sipas prokurorëve, Avramopoulos dyshohet se ka marrë përfitime financiare, të vlerësuara në rreth 73,000 euro, nga organizata joqeveritare "Fight Impunity". Emri i tij u përfshi në hetime për shkak të angazhimit në bordin e kësaj OJQ-je, e cila drejtohej nga ish-eurodeputeti Antonio Panzeri, një figurë qendrore e këtij skandali. Për zbatimin e procedurave, autoritetet belge kanë kërkuar zyrtarisht heqjen e imunitetit parlamentar të Avramopoulos, i cili aktualisht është deputet në Parlamentin Grek me partinë Demokracia e Re.
Nga ana e tij, Dimitris Avramopoulos ka hedhur poshtë çdo akuzë për shkelje ligjore. Ai ka deklaruar se përfshirja e tij në bordin e nderit të "Fight Impunity" ishte simbolike, pa përgjegjësi menaxheriale, dhe se të gjitha pagesat ishin të deklaruara te autoritetet tatimore greke. Ish-komisioneri ka njoftuar se nuk do të kërkojë mbrojtje nga imuniteti parlamentar dhe se do t'i drejtohet vetë gjyqësorit për një hetim të plotë.
Procedura parashikon transferimin e çështjes nga autoritetet belge te ato greke, përmes Ministrisë së Drejtësisë, për të kaluar më pas në shqyrtim në parlamentin e vendit. Skandali "Qatargate", i zbuluar në vitin 2022, ka çuar në arrestimin e disa figurave të njohura, përfshirë ish-zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian, Eva Kaili.
Përditësime
Një zyrtar i lartë i qeverisë greke ka konfirmuar detajet e hetimit ndaj ish-komisionerit evropian, Dimitris Avramopoulos. Sipas gjetjeve, ai dyshohet se ka përfituar pagesa mujore prej 5,000 eurosh, ndërsa në kuadër të operacionit autoritetet kanë sekuestruar 1.5 milion euro cash. Prokuroria ka ngritur zyrtarisht akuzën e 'pjesëmarrjes në organizatë kriminale'.
Autoritetet belge kanë lëshuar një urdhërarrest për ish-komisionerin evropian Dimitris Avramopoulos, pasi ai nuk u paraqit për të dëshmuar lidhur me një çështje të hapur prej më shumë se gjashtë muajsh. Eksperti i së drejtës së Bashkimit Evropian, Alberto Alemanno, e cilësoi këtë rast si një shembull të fenomenit të 'dyerve të rrotullueshme'.