Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u bazuar në informacione që, sipas tij, i ka marrë nga shërbimet e huaja kur mbante postin e kryeministrit. Berisha pohoi se Rama ka udhëtuar disa herë drejt Teheranit, ku është takuar me ish-presidentin iranian, Mahmoud Ahmadinejad.
Kjo deklaratë u bë gjatë një komunikimi publik, si reagim ndaj vendimit të qeverisë për të shpallur “non grata” Ikballe Hudutin, e cila u etiketua nga ekzekutivi si mbështetëse e Iranit pas publikimit të një fotografie me Ahmadinejad. Berisha pretendoi se nga hetimet e organeve kompetente ka rezultuar se, të paktën në një rast, Rama ka marrë pjesë në Internacionalen Socialiste të mbledhur në Iran. Po ashtu, ai shtoi se edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka udhëtuar disa herë drejt Iranit.
Në të njëjtën dalje, Berisha mbrojti figurat e lidhura me protestën, duke denoncuar sulmet ndaj Dritan Goxhajt. Ai kritikoi ashpër përpjekjet e qeverisë për të diskredituar pjesëmarrësit, duke përmendur rastin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Tahir Sinani. Sipas Berishës, qeveria ka kërkuar dokumente dhe fatura për të njollosur luftën e UÇK-së vetëm për shkak të pranisë së flamurit të saj në protestat e qytetarëve.
Në përfundim, kreu i Partisë Demokratike e akuzoi kryeministrin se po përpiqet të diskreditojë protestën përmes sulmeve ndaj figurave publike dhe ironizoi përdorimin e simbolit të flamingos nga Rama, duke i kërkuar këtij të fundit të japë dorëheqjen.