Sali Berisha ka njoftuar një foltore emergjente në Kombinat në të njëjtën orë me takimin e radhës së Klodian Salianjit në Lezhë. Sipas analistit Ergys Mertiri, qëllimi është të konkurrrojë kohën televizive të kundërshtarit.
Mertiri shkruan se, që kur Salianji ka nisur lëvizjen e tij, ai ka përcaktuar agjendën politike të Berishës në çdo hap. Kështu, Salianji ka nisur protesta, foltore në rrethe dhe analizën e zgjedhjeve 8 muaj pas humbjes.
Analisti përmend sulmet ndaj foltoreve të Salianjit, ku Berisha akuzon se atë e ndihmojnë bandat e krimit, strukturat e Edi Ramës dhe tradhtarët e brendshëm. Kjo kulmon me përjashtimin e Salianjit nga partia, të cilin Berisha e quan vetëpërjashtim. Dikur i konsideruar hero i burgosur politik nga regjimi i Ramës, Salianji tani etiketohet si armik dhe bashkëpunëtor i Ramës për të shkatërruar opozitën.
Menjëherë pas tryezës për bashkimin e opozitës dhe thirrjeve për bashkim të gjerë, Berisha ka nisur një aksion spastrimesh në parti kundër atyre që i quan tradhtarë, bashkëpunëtorë të Ramës ose që nuk punuan në zgjedhje për shkak të mërzisë për postet e pretenduara. Mertiri e quan këtë politikë bashkimesh-spastrimesh një shenjë çbalancimi në opozitë, duke theksuar se lista e mbyllur e zgjedhjeve u caktua arbitrarisht nga Berisha në kundërshtim me statutin.
Sipas Mertirit, pas përjashtimit të armiqve të brendshëm dhe elementit antiparti, Berisha do të përjashtojë edhe masat e demokratëve që mbushnin sallat e Salianjit. Ai krahasoi situatën me skeçin e Koço Devoles për byronë politike, ku Enveri kërkon shpalljen armiq të popullit të studentëve dhe popullit.