Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike, foli gjatë një bashkëbisedimi publik me ndjekësit në rrjetet sociale më 17 janar 2026, ku iu përgjigj shqetësimeve për kufizimin e opozitës vetëm në denoncime dhe veprimtari paqësore.
Në përgjigje ndaj pyetjes së Fatos Doçi, i cili pyeti se sa do të vazhdojë trajtimi paqësor i asaj që e quajti "bandë kriminale", Berisha theksoi se partia e tij nuk ka synuar kurrë marrjen e pushtetit me dhunë. "Ne jemi partia që nuk e kemi synuar kurrë pushtetin me dhunë, përkundrazi, kur këta e kanë marrë me dhunë pushtetin ne i kemi përzënë me votë", u shpreh ai.
Berisha shtoi se beson te mundësia e largimit të qeverisë aktuale përmes një kryengritjeje paqësore, të organizuar dhe të qëndrueshme në kohë. "Ne besojmë se me një kryengritje paqësore të qëndrueshme, është plotësisht e mundur largimi i tyre nga pushteti. Ndaj dhe duhet të krijojmë një bindje të gjerë, tek qëndrestarët, opozitarët, tek të gjithë ata që duan të shpëtojnë Shqipërinë nga kjo e keqe", deklaroi ai.
Ai e cilësoi një kryengritje të zgjatur paqësore si jetike dhe vendimtare për fatin e Shqipërisë dhe shpëtimin nga ajo që e quajti "bandë, organizatë kriminale e vendit". Berisha njoftoi se Partia Demokratike është në fazën e përgatitjeve dhe se qytetarët e opozitarët do të jenë shpejt të gatshëm për këtë proces.
Bashkëbisedimi lidhet me protestën e opozitës të parashikuar më 24 janar para Kryeministrisë.