Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka konfirmuar ndryshimin e planeve të partisë në lidhje me organizimin e një proteste kombëtare, pas zhvillimeve të fundit në Zvërnec. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha theksoi se opozita kishte në projekt thirrjen e një proteste, por ka vendosur të mos e ndërmarrë këtë hap për të mos rivalizuar me tubimin e përditshëm të qytetarëve në bulevard.
"Ne kemi pasur në projekt të thërrasim protestën kombëtare, por nuk e kemi bërë për shkak të protestës së përditshme të qytetarëve. I kemi dhënë përparësi atyre dhe kemi respektuar organizatorët; nuk e kemi quajtur të arsyeshme që të rivalizojmë," u shpreh Berisha. Sipas tij, demokratët që kanë dëshiruar të protestojnë janë përfshirë tashmë në këto tubime si qytetarë.
Sipas Berishës, kriza politike po thellohet dhe qëndrimet e kryeministrit Edi Rama po bëhen më të papërgjegjshme. Pavarësisht kësaj, ai siguroi se forca politike që ai drejton mbetet e gatshme për të vijuar misionin e saj opozitar në çdo moment.
Në aspektin organizativ, Berisha njoftoi se brenda kësaj jave do të mbahet mbledhja e Këshillit Kombëtar dhe do të zgjidhet Kryesia e Partisë Demokratike. Ai bëri gjithashtu thirrje për transparencë lidhur me proceset zgjedhore brenda partisë, duke ftuar këdo që ka dyshime mbi numërimin e votave të kryejë rinumërimin e tyre.