Bernardo Silva, kapiteni i Manchester City, ka shprehur besimin te përmbysja e rezultatit ndaj Real Madrid në ndeshjen e kthimit të tetëfinales së Ligës së Kampionëve. Ndeshja zhvillohet më 17 mars në orën 21:00 në stadiumin Etihad, pas humbjes 3:0 në Madrid.
Silva theksoi rëndësinë e sulmuesit norvegjez Erling Haaland. “Natyrisht që do të preferoja ta kemi Erlingun në fushë. Kur e ke Erlingun në fushë, shënon gola – dhe ne kemi nevojë për gola nesër”, deklaroi mesfushori portugez.
Ai shtoi se skuadra nuk e ka humbur shpresën pavarësisht disavantazhit. “Futbolli na ka mësuar se shumë gjëra mund të ndodhin. Edhe pse rezultati në Madrid ishte shumë i keq, ne do të luftojmë deri në fund”, u shpreh Silva.
Sipas tij, luajtja në shtëpi ofron mundësi. “Kundërshtari është shumë i fortë, por në shtëpi mund të ndodhin shumë gjëra. Do të përpiqemi të krijojmë atmosferën e duhur që kjo të ndodhë”, përfundoi kapiteni i Manchester City.