Besian Mustafa, ish-deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), deklaroi se ish-presidentja Vjosa Osmani do të garojë me partinë në zgjedhjet e ardhshme. Ai e sheh këtë afrim si pjesë të një projekti më të gjerë për ribashkimin e spektrit të djathtë politik në Kosovë dhe krijimin e një alternative të re politike.
Në podcast-in Përballje me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Mustafa theksoi se bashkimi nuk lidhet me interesa individuale, por me nevojën për ta konsoliduar e djathtën. “Përveç qëllimit fisnik-politik në vetvete, është edhe goxha praktike… për të mirën e qytetarëve të Kosovës po tentojmë, po punojmë me u bashku e djathta. Kjo përfshin Vjosa Osmanin dhe kjo përfshin çdo emër tjetër”, tha ai.
Mustafa bëri thirrje për rikthimin e të gjithë figurave të djathta që janë larguar nga LDK në të kaluarën në një projekt të përbashkët. “Këtë mundësi po e shfrytëzoj me i ftu të gjithë ata që e ndjejnë veten të djathtë, që për çfarëdo arsye në rrugëtimin e tyre politik janë largu nga LDK-ja, me u kthy në LDK”, deklaroi ai.
Ai pranoi përplasjet e mëparshme dhe hatërmbetjet mes Osmanit dhe LDK-së, por i cilësoi ato puro politike dhe të tejkalueshme. “Këto hidhërime e fërkime që i kemi janë puro politike… sot kemi gjet rrugë të përbashkët prapë. Rikthehemi, ribashkohemi dhe shtyjmë një projekt tash e një herë për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Mustafa.
Ai përmendi përvojën e LDK-së dhe elektoratit të saj me procese të ngjashme ribashkimi, si rikthimin e figurave nga LDD dhe shkrirjen e partisë Ora në LDK. “LDK-ja dhe elektorati i LDK-së kanë përvojë në këtë drejtim… kanë kapacitet dhe përvojë për t’i tejkalu hatërmbetjet momentale për një qëllim më të madh”, deklaroi ai.