Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se i ka drejtuar një kërkesë zyrtare kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për zhvillimin e një takimi lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës. Sipas Tahirit, ky takim është i domosdoshëm për të respektuar Rregulloren e Punës së Kuvendit, e cila përcakton që seanca duhet të mbahet ditën e nesërme.
Në shkresën e tij, Tahiri ka theksuar se ky propozim vjen në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe respektimit të procedurave parlamentare. Ai ka propozuar që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ndërsa mbetet në pritje të konfirmimit për kohën dhe vendin e saktë të takimit.
Gazeta Metro ka raportuar se, në kërkesën e tij, Tahiri i është referuar gjithashtu afatit kohor prej 48 orësh si detyrim procedural për vazhdimin e kësaj seance. Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesit e Aleancës kanë bërë të ditur se do të mbajnë një prononcim për mediat në hollin e Kuvendit.
Përditësime
PDK-ja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kërkuan zyrtarisht nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vazhdimin e procedurave parlamentare çdo 48 orë. Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje refuzoi thirrjen e seancës pa arritjen e një marrëveshjeje politike ndërpartiake. Kjo përplasje qëndrimesh thellon ngërçin për mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit.