Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar zyrtarisht mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Gent Mahmuti, i cili drejtonte ekipin kombëtar U-15. Institucioni ka vlerësuar kontributin e Mahmutit dhe i ka uruar suksese në hapat e mëtejshëm të karrierës së tij.
Pas një analize të kryer nga Drejtoria Teknike, drejtimi i kësaj grupmoshe i është besuar Bledar Borovës. Ai njihet si një figurë me përvojë në zhvillimin e talenteve të reja, duke pasur një kontribut të gjatë në Akademinë e Apolonisë, ku ka mbajtur edhe postin e drejtorit. Gjithashtu, Borova ka qenë pjesë e stafit teknik të Kombëtares U-19.
Sipas FSHF-së, ky emërim është në përputhje me strategjinë për forcimin e strukturave të ekipeve kombëtare dhe përmirësimin e procesit të identifikimit, edukimit dhe zhvillimit të futbollistëve të rinj. Bledar Borova do të fillojë menjëherë detyrën, duke u përqendruar në grumbullimet dhe aktivitetet e parashikuara për sezonin e ri futbollistik.