Sezoni turistik dimëror në Rugovë po zhvillohet me fluks të madh vizitorësh, ndërsa fshati Bogë mbetet destinacioni më i kërkuar falë pistës së skijimit të vendosur aty. Kjo zonë e rrethuar nga male të larta ofron kushte natyrore të favorshme për rekreacion në çdo stinë, sidomos gjatë dimrit.
Gjatë fundjavave, sigurimi i akomodimit në hotele dhe bujtina bëhet pothuajse i pamundur pa rezervim paraprak, ndërsa ditët e tjera të javës janë më të qeta. Qendra e skijimit mbledh vizitorë të të gjitha moshave, duke përfshirë organizime me nxënës dhe fëmijë që i japin gjallëri të veçantë zonës.
Vizitorët shprehen të kënaqur me përvojën. Alea Hysenaj, një vizitore, tha: "Jemi të kënaqur, kemi qëndruar gjatë gjithë ditës. Kemi ardhur në mënyrë të organizuar me shkollë, shumë mirë kemi kaluar, vetëm pista e skijimit është pak e vogël".
Po ashtu, Gresa Hyseni dhe Eliza Kastrati u shprehën pozitive. "Kemi ardhur me shkollë dhe shumë mirë kemi kaluar, sigurisht se do të kërkojmë të vijmë prapë", tha Gresa Hyseni, ndërsa Eliza Kastrati shtoi: "Ka qenë një ditë e mrekullueshme".
Interesi i lartë reflektohet në kapacitetet akomoduese të 13 fshatrave të Rugovës, që ofrojnë rreth 3 mijë shtretër. Gjatë fundjavave, nuk ka vende të lira për të gjithë të interesuarit.
Afaristët në Bogë vlerësojnë se kërkesa për akomodim tejkalon kapacitetet. Agron Rudi, afarist, deklaroi: "Në vikend të gjitha janë të rezervuara, nuk ka vende të lira. Ata që vijnë pa rezervim mbesin pa u akomoduar, pra ka kërkesa më shumë sesa që ka vende".