Boksieri shqiptar Roberto Bakaj ka bërë një sfidë zyrtare për një ndeshje ndaj boksierit të mirënjohur britanik, Anthony Joshua. Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Bakaj e ka ftuar britanikun që ta bëjnë realitet këtë përballje, duke theksuar mbështetjen e madhe që ky event do të merrte nga tifozët shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë.
“Le ta bëjmë realitet! Ju garantoj se miliona tifozë shqiptarë dhe tifozë të panumërt të boksit në mbarë botën do ta mbështesin këtë event. Të gjithë janë jashtëzakonisht të entuziazmuar dhe mezi po e presin këtë përballje”, ka shkruar Bakaj.
Kërkesa e Bakajt vjen pas zhvillimit të një ndeshjeje në Arabinë Saudite, ku Anthony Joshua u përball me boksierin tjetër shqiptar, Kristian Prenga. Në atë takim, pavarësisht humbjes së Prengës me nokaut në raundin e dytë, ai arriti që në raundin e parë të rrëzonte dy herë ish-kampionin e botës, fakt që ka tërhequr vëmendjen mbi boksierët shqiptarë në kategorinë e peshave të rënda.
Roberto Bakaj njihet në arenën profesioniste për forcën e tij goditëse, pasi ka regjistruar 16 fitore në po kaq meçe të zhvilluara, të gjitha të përfunduara para kohe me nokaut. Aktualisht, Anthony Joshua po përgatitet për një sfidë të mundshme ndaj Tyson Fury-t, një duel ky që cilësohet si një nga më të mëdhenjtë në historinë e boksit britanik. Mbetet ende e paqartë nëse kërkesa e Bakajt përfaqëson një dëshirë për revansh pas humbjes së Prengës apo një nismë të pavarur për karrierën e tij sportive.