Presidenti i Bolivisë, Rodrigo Paz, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend për shkak të pasojave të mundshme të fenomenit klimatik El Niño, i cili rrit rrezikun e thatësirave dhe përmbytjeve. Vendimi synon mobilizimin e burimeve shtesë dhe ekipeve të emergjencës për t’u përballur me kushtet ekstreme atmosferike.
Sipas Abc News Albania, të paktën 78 mijë familje janë prekur nga thatësira në shtatë nga nëntë rajonet e Bolivisë. Autoritetet paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet me fillimin e sezonit të shirave, i cili zakonisht zgjat nga nëntori deri në mars. Zonat që aktualisht vuajnë mungesën e reshjeve mund të përballen më pas me përmbytje si pasojë e reshjeve intensive.
Në një mesazh televiziv drejtuar qytetarëve, Paz tha se autoritetet po përpiqen të minimizojnë pasojat e një episodi potencialisht të fuqishëm të El Niño-s dhe të mbrojnë zonat më të rrezikuara.
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, El Niño pritet të forcohet gjatë javëve në vijim, të arrijë kulmin në dhjetor dhe të vijojë të ndikojë deri në shkurt. Fenomeni karakterizohet nga rritja e temperaturës së ujërave sipërfaqësore të Oqeanit Paqësor ekuatorial dhe dobësimi i erërave tregtare. Këto ndryshime ndikojnë në qarkullimin atmosferik dhe modelet e reshjeve, duke shkaktuar thatësira në disa rajone dhe shira të rrëmbyeshëm e përmbytje në të tjera.