Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit ka zhvilluar mbledhjen e tij të dytë, duke miratuar ndryshime në tarifat e shitjes. Ky vendim u mor në mbështetje të masave për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve, pas një rishikimi të çmimeve të mëparshme.
Sipas vendimit të publikuar, çmimi i naftës (gazoil i standardit SSH EN 590) për shitjen me pakicë është kufizuar në 213 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është përcaktuar në 201 lekë për litër. Në të njëjtën kohë, benzina e standardit SSH EN do të tregtohet me një çmim maksimal prej 193 lekë për litër në shitjen me pakicë, ndërsa për shitjen me shumicë çmimi nuk duhet të kalojë 181 lekë për litër.
Këto çmime kanë hyrë në fuqi ditën e sotme, më 22 shtator 2026, në orën 12:00 dhe mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e radhës së Bordit. Institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë deklaruar angazhimin për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme.
Bordi ka paralajmëruar të gjithë operatorët e tregut se zbatimi i këtyre çmimeve është i detyrueshëm. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga subjektet tregtare, autoritetet kanë njoftuar se do të merren masa, përfshirë pezullimin e aktivitetit për operatorët shkelës.
Përditësime
Deputeti Erion Braçe kërkoi ndërhyrje urgjente në vendimmarrjen e Bordit të Transparencës. Ai kërkoi përfshirjen e gazit në listën e produkteve të kontrolluara nga Bordi. Braçe gjithashtu kërkoi transparencë të plotë mbi zinxhirin e furnizimit dhe heqjen e barrës fiskale që rëndon mbi çmimet e karburanteve.