Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe kërkoi të enjten në Kuvend interpelancë me ministrin e Bujqësisë Andis Salla, në lidhje me shqetësimet për kafshët e rrugës, groposjen dhe djegien e tyre pas ngordhjes.
Braçe u shpreh në foltore se mungesa e Sallës në sallë përbën mungesë respekti ndaj Kuvendit, pasi interpelanca ishte kërkuar pikërisht me të. Sipas tij, përballjen ia kishte deleguar ministrit për Pushtetin Vendor Ervin Demo.
"Është edhe mungesë respekti që nuk fsheh paaftësinë epike për të lexuar jo thjeshtë për të mos bërë punën", deklaroi Braçe për Sallën. Ai shtoi se do të vazhdojë interpelancën me Demo-n, për të kryer detyrën e tij, por theksoi se përgjegjësia kryesore i takon Ministrisë së Bujqësisë, Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, si dhe ministrit Salla.
Braçe kritikoi se as kryetari i grupit parlamentar, as vetë ministri dhe as Zyra e Përgatitjes Plenare nuk mund ta përcaktojnë se me kë deputeti bën interpelancë. "Të gjithë këta duhet të lexojnë se krijesë e kujt është filani apo fisteku", tha ai, duke lexuar vetë ligjin për të thyer, sipas tij, "rregullin e përtacërisë mendore".