Britania e Madhe ka njoftuar më 24 shkurt 2026, në përvjetorin e katërt të pushtimit rus të Ukrainës, një paketë të re sanksionesh ndaj të ashtuquajturës flotë hije të naftës ruse. Sipas deklaratës së Foreign Office, Londra ka vendosur në shënjestër 175 kompani të lidhura me rrjetin 2Rivers.
Po ashtu, Britania ka sanksionuar PJSC Transneft, një nga kompanitë më të mëdha botërore të tubacioneve të naftës, e cila transporton mbi 80% të eksporteve ruse të naftës, sipas autoriteteve britanike.
Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, deklaroi se "Mbretëria e Bashkuar ka ndërmarrë sot veprime vendimtare për të ndërprerë financimin kritik, furnizimin me pajisje ushtarake dhe rrjedhat e të ardhurave që mbështesin agresionin rus". Ajo e cilësoi këtë paketë si "masat më të mëdha që nga muajt e parë të pushtimit".
Rrjeti 2Rivers, i lidhur me tregtarët aziatikë Etibar Eyyub dhe Tahir Garayev, ka luajtur rol kyç në qarkullimin e qindra milionë fuçive naftë ruse bruto, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare pas nisjes së luftës. Ky rrjet, i njohur më parë si Coral, përbëhet nga kompani offshore dhe u zgjerua shpejt para sanksioneve të Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe që nga viti 2024.
Avokatët e Garayev kanë mohuar çdo lidhje të tij me Rosneft apo Eyyub, si dhe kanë deklaruar se ai nuk është përfshirë në aktivitete të lidhura me naftën që nga fundi i vitit 2022. Përfaqësuesit e kompanive të Eyyub nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Sanksionet e reja kanë rritur kostot e transaksioneve dhe kanë bërë që bankat, kompanitë e sigurimeve dhe firmat perëndimore të shërbimeve profesionale të shmangin bashkëpunimin me këtë rrjet, për të mos rënë vetë nën hetim.