Bukurie Mata, nënë e Bleona Matës, e cila u zhduk 16 vite më parë në Kukës, ka ndarë detaje nga një dëshmi të re të dhënë nga një i moshuar në një emision televiziv. Kjo dëshmi lidhet me rrethanat e rrëmbimit, lëvizje të dyshimta dhe elementë që mund të hapin pista të reja hetimi.
Sipas Bukurie Matës, i moshuari ka rrëfyer se Bleona është parë fillimisht në Llakatund, më pas e dërguar në Picar të Vlorës dhe më vonë e lëvizur drejt Gjermanisë apo Greqisë. Ai përmendi një makinë me targa Vlorë dhe tha se kishte mbajtur sekret informacionin për shkak të presionit familjar, duke shtuar se nuk dëshironte të vdiste me këtë brengë.
Bukurie Mata u shpreh se kjo dëshmi i ka ringjallur shpresat, por ka ngritur shqetësime për mungesën e veprimeve nga organet e drejtësisë. “Policia nuk ka hetuar dhe nuk janë marrë në pyetje dëshmitarët. Nuk është verifikuar ajo shtëpi që është dhënë si referencë për vajzën time”, tha ajo.
Ajo falënderoi publikisht dëshmitarin për telefonatën në emisionin “Njerëzit e Humbur”, duke thënë: “Ai dinte shumë gjëra, e falënderoj. Gjithë fshatarët e mbajtën të fshehtë këtë para policisë se kishin frikë”. Nëna përmendi se vajza ka qarë shumë dhe dyshohet se është dhënë tek gra pa fëmijë, ndoshta për birësim.
Bukurie Mata akuzoi hallat e vajzës për përfshirje në rrëmbim dhe theksoi se dhimbja e 16 viteve pa drejtësi po e mundon çdo ditë. Ajo kërkoi nga organet kompetente të zbardhin çështjen.