Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit, duke pohuar se Lëvizja Vetëvendosje përballet me mungesë të shumicës parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të ri. Në një njoftim të publikuar në rrjetin social Facebook, Ramadani theksoi se partia në pushtet nuk i ka 61 votat e domosdoshme për përmbylljen e këtij procesi.
Sipas Ramadanit, kjo është arsyeja e vërtetë që qëndron pas mospropozimit të një kandidati për postin e kryeparlamentarit. Ai vlerësoi se situata aktuale përbën një formë të sabotimit të shtetit, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje rrezikon shkeljen e Kushtetutës vetëm për të mos bërë publike para qytetarëve faktin se nuk i ka 61 deputetë në parlament.
Në qëndrimin e tij, deputeti i Aleancës shtoi se të gjitha arsyetimet e tjera që janë paraqitur deri më tani nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje për zvarritjen e procesit, shërbejnë vetëm si një kamuflim për të fshehur realitetin politik rreth mungesës së shumicës së nevojshme parlamentare.