Argjinatura e lumit Seman është çarë në disa segmente në qarkun e Fierit, si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit, duke shkaktuar përmbytje në disa fshatra. Ngjarja ka ndodhur prej ditës së djeshme, më 12 janar 2026, dhe ka izoluar zona të banuara, ku banorët kanë humbur kontaktet me familjarët për shkak të mbytjes së rrugëve nga uji.
Banorët e prekur shprehen të shqetësuar për sigurinë e të afërmve të tyre dhe bëjnë apel për ndihmë urgjente. Autoritetet po zhvillojnë operacion evakuimi për banorët dhe bagëtinë e izoluar, ndërsa prioritet mbetet shpëtimi i jetëve njerëzore. Një grua e prekur deklaroi: “Kam 300 kokë bagëti, nuk i nxorëm dot sepse erdhi uji me forcë. Atje kam burrin dhe djalin, të ikin të lënë delet, dua të iki t’i shoh”.
Një banor tjetër, i moshës 53 vjeç, theksoi se kjo është hera e parë që ndodh një përmbytje e tillë në zonë dhe e atriboi mosmirëmbajtjen e argjinaturave si shkak kryesor. Ai u shpreh: “Prej dje janë shqyer argjinaturat. Kjo është hera e parë, jam 53 vjeç dhe nuk ka ndodhur një përmbytje e tillë më parë. Shkak janë mosmirëmbajtja e argjinaturave”.
Një tjetër banor foli për çobanin e izoluar: “Është çobani lart, kanë tre ditë pa bukë, nuk e dimë as ku janë. Nuk kanë bateri në telefon dhe nuk dimë se çfarë bëhet. Duam t’i nxjerrim që atje, nuk po pyesim më për mallin, duam vetëm të shohim për njerëzit, jetët e njerëzve”. Situata vazhdon të monitorohet, me fokus te evakuimi i shpejtë i personave në rrezik.