Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka shprehur kritika ndaj sistemit VAR (Video Assistant Referee) gjatë një konference në Madrid, në panelin e The Forum. Ai vuri në dukje mungesën e konsistencës në interpretimin e rregullave nga ndeshja në ndeshje, çka krijon paqartësi jo vetëm për tifozët, por edhe për drejtuesit e futbollit.
Ceferin u ndal veçanërisht te rregulli i lojës me dorë në zonë, duke deklaruar se askush nuk e kupton më nëse një rast është penallti apo jo. "As unë nuk kuptoj më asgjë. Për shembull, për dorën në zonë, askush nuk e di çfarë është penallti dhe çfarë jo. Si mund të përcaktohet qëllimi? Ne nuk jemi psikiatër", tha ai.
Ai theksoi se roli kryesor i takon gjyqtarit në fushë, ndërsa VAR-i duhet të ndërhyjë vetëm në raste të gabimeve të qarta dhe të dukshme. Ceferin kritikoi gjithashtu ndërprerjet e gjata të ndeshjeve për rishikime, siç ndodhin në kampionatet e Spanjës dhe Anglisë. "Rishikimet nuk duhet të zgjasin dhjetë ose pesëmbëdhjetë minuta", shtoi ai.
Deklaratat vijnë në kontekstin e polemikave të fundit në Champions League, ku klube si Barcelona dhe Real Madrid kanë shprehur pakënaqësi për vendime arbitrash. Ceferin nënvizoi nevojën për zbatim të qëndrueshëm të rregullave nga IFAB. Ai pranoi se distanca mes klubeve dhe sistemit të arbitrimit po rritet, duke vënë në dukje se klubet ankohen kur vendimet nuk i favorezojnë, por jo kur i favorezojnë.