Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) e SHBA-së publikoi të martën udhëzime në gjuhën persiste në llogaritë e saj në X, Instagram, Facebook, Telegram dhe YouTube.
Mesazhi synon iranianët që dëshirojnë të kontaktojnë agjencinë në mënyrë të sigurt. Ai u bën thirrje atyre të marrin masa mbrojtëse, si shmangia e kompjuterëve të punës ose telefonave personalë, përdorimi i një pajisjeje të re të përkohshme dhe kujdesi ndaj rrethinës për të mos u vërejtur.
Personat duhet të japin vendndodhjen, emrin, titullin e punës, qasjen në informacion ose aftësitë e interesit për CIA-n. Rekomandohet përdorimi i një rrjeti virtual privat (VPN) të besueshëm, që nuk ka seli në Rusi, Iran apo Kinë, ose i rrjetit Tor, i cili enkripton të dhënat dhe fsheh adresën IP.
Ky është mesazhi i fundit në një seri përpjekjesh rekrutimi në gjuhët persiste, ruse, kineze dhe koreane veriore, drejtuar vendeve si Iran, Kinë, Koreja e Veriut dhe Rusi.
Përpjekja vjen në një moment tensioni të lartë. SHBA-ja ka rritur praninë ushtarake në Lindjen e Mesme. Presidenti Donald Trump, në fjalimin e tij për Gjendjen e Kombit të martën para Kongresit, argumentoi kundër programit bërthamor iranian, duke e quajtur Republikën Islamike sponsorin kryesor shtetëror të terrorizmit dhe duke paralajmëruar se nuk do ta lejojë atë të zhvillojë armë bërthamore. Irani mohon synime bërthamore.
Një raund bisedimesh për programin bërthamor është planifikuar për të enjten. Postimi në persisht ka grumbulluar miliona shikime brenda pak orëve. CIA nuk ka komentuar, ashtu si delegacioni iranian në OKB.