Vlora Çitaku, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), reagoi ndaj publicistit Veton Surroi për deklaratën e tij në një podcast. Surroi kishte thënë se Fatmir Sejdiu duhej ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, dhe se po të ishte shpallur dy muaj më herët apo më vonë, do të ishte dikush tjetër.
Çitaku postoi në Facebook, duke filluar me frazën “urrejtja verbon dhe ta humb arsyen”. Ajo shpjegoi se kishte udhëhequr komisionin ndërinstitucional për përgatitjet e shpalljes së pavarësisë. Sipas saj, çdo detaj i asaj dite, nga teksti i Deklaratës deri te përmbajtja e koncertit të Filharmonisë së Kosovës, ishte kuruar me kujdes në koordinim me juristë dhe ekspertë ndërkombëtarë.
Ajo theksoi se kishin informacion nga aleatët se Serbia do të padiste në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), prandaj çdo devijim mund të përdorej kundër Kosovës. Çitaku citon pikën e parë të Deklaratës: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.”
Ky formulim, sipas saj, nuk ishte rastësor dhe shërbeu si argument kyç në mbrojtjen në GJND. Çitaku shtoi se Hashim Thaçi nuk e fitoi këtë rol si “lotari”, por e mori mandatin nga qytetarët si lideri më i votuar në Kuvend. Edhe skenari i seancës së Kuvendit ishte ndërtuar me kujdes të veçantë.