Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar pas protestës së mbajtur më 1 tetor në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Tubimi, i cili u organizua si kundërpërgjigje ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u cilësua nga Haradinaj si një pjesëmarrje masive dhe në frymën e traditës shqiptare.
Megjithatë, përmes një reagimi publik, Haradinaj shprehu pakënaqësi lidhur me përmbajtjen dhe adresimet e folësve gjatë kësaj proteste. Ai theksoi se mesazhet nuk ishin mjaftueshëm të qarta dhe se organizatorët dështuan të artikulonin drejtpërdrejt përgjegjësit për bllokimin e plotësim-ndryshimeve ligjore.
“Adresimet ishin të paqarta, nuk i kuptova. Edhe 4 ditë Kuvendit i përfundon mandati, pra nuk e paralajmëruat qartë. Të gjithë e dini kush është kundër plotësim-ndryshimeve të ligjit dhe nuk po e thoni qartë”, ka deklaruar ndër të tjera deputeti i Aleancës. Ai gjithashtu shtoi se qytetarët duhet të kërkojnë përgjegjësi nga ata që i përfaqësojnë në institucione.
Duke parë nevojën për një kërkesë më të vendosur, Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen sërish më 6 tetor në shesh, me qëllim që të përcjellin një mesazh të qartë ndaj përfaqësuesve të popullit përpara përfundimit të mandatit legjislativ.