Pas eliminimit të Dinamos nga kompeticionet europiane, sulmuesi David Fadairo i ka dhënë fund periudhës së huazimit dhe është rikthyer në radhët e Partizanit. Gjatë qëndrimit te skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja, 25-vjeçari spikati si një nga protagonistët kryesorë, duke shënuar 3 gola në 7 paraqitje, përfshirë dy rrjeta kundër klubit Pafos.
Fadairo, i cili iu bashkua Dinamos në formë huazimi posaçërisht për ndeshjet e Europës, shprehu mirënjohjen e tij ndaj klubit dhe trajnerit Daja përmes një mesazhi në rrjetet sociale. Megjithatë, rikthimi i tij te Partizani sjell sfida të reja sa i përket së ardhmes. Sipas rregullores së UEFA-s, një futbollist mund të federohet në tri klube të ndryshme gjatë një sezoni, por lejohet të luajë zyrtarisht vetëm për dy prej tyre.
Nëse Fadairo aktivizohet me Partizanin në ndeshjet e kampionatit, ai do të humbasë mundësinë për t'u transferuar në një klub tjetër për pjesën e mbetur të sezonit, duke e bërë Dinamon opsionin e vetëm të mundshëm për një rikthim në merkaton e janarit. Situatë e ngjashme raportohet edhe për futbollistin Rrok Toma, i cili ishte pjesë e Vllaznisë gjatë aventurës europiane. E ardhmja e Fadairos pritet të qartësohet përpara mbylljes së merkatos më 1 shtator, ndërsa trajneri i Partizanit, Florin Bratu, do të ketë në dispozicion shërbimet e sulmuesit për sezonin e ri në Superiore.