Në Konferencën e Kryetarëve të grupeve parlamentare, të enjten më 29 janar 2026, socialistët dhe demokratët debatuan për mos thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku pritej të vendosej mbi heqjen ose jo të imunitetit të deputetes Belinda Balluku, sipas kërkesës së SPAK.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se "kjo që po ndodh është një njollë e zezë për Kuvendin. Mbrojtja politike e një të korruptuari është çështje që ju bën me turp edhe juve. Të mblidhet menjëherë Këshilli i Imuniteteve dhe t’i hapim rrugën drejtësisë për t’i hequr imunitetin".
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u përgjigj se shtyrja e mbledhjes është në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Ai theksoi se në Këshillin e Mandateve vendimet nuk merren thjesht me shumicë, por çdo propozim i anëtarëve ka vlerë. Mbledhja u shty me propozim të deputetëve Taulant Balla dhe Bledi Çomo, të cilët kërkuan të pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese.