Një debat i fortë politik ka shpërthyer në Slloveni, ku presidentja Nataša Pirc Musar përballet me pikëpyetje mbi lidhjet e rrethit të saj të afërt me persona që dyshohet se kanë lidhje me Rusinë. Vëmendja publike u përqendrua te ky rast pas një aksidenti automobilistik, ku në automjetin me të cilin udhëtonte presidentja ndodhej edhe shtetasja ruse Viktorija Krivolucka.
Sipas raportimeve mediatike, janë ngritur pikëpyetje për lidhjet e Krivolucka-s me Roman Jeglič, një ish-zyrtar i inteligjencës sllovene i cili u largua drejt Rusisë gjatë viteve ’90. Për shkak të këtyre zhvillimeve, Komisioni parlamentar për sigurinë ka kërkuar informacione zyrtare nga shërbimi inteligjent slloven, SOVA, për të vlerësuar nëse ekziston ndonjë rrezik apo ndikim i huaj ndaj interesave kombëtare.
Në qendër të këtij shqyrtimi janë vënë gjithashtu udhëtimet e shpeshta të Pirc Musar në Moskë dhe Shën Petersburg. Opozita, e përfaqësuar nga partia SDS, ka kërkuar marrjen e masave më të rrepta, duke përfshirë kufizimin e mundshëm të qasjes së presidentes në informacione të klasifikuara të inteligjencës, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave.
Nga ana tjetër, shërbimi inteligjent SOVA ka deklaruar se një verifikim i mëparshëm i kryer ndaj shtetases ruse në vitin 2016 nuk kishte evidentuar elemente që përbënin kërcënim për sigurinë. Aktualisht, nuk ka asnjë konstatim zyrtar që vërteton lidhjen e presidentes apo të rrethit të saj me shërbimet ruse, ndërkohë që verifikimet nga organet përkatëse vazhdojnë.