Blogeri rus dhe themeluesi i kanalit Rybar në Telegram, Mikhail Zvinchuk, është kthyer në Rusi pas dëbimit nga Mali i Zi. Vendimi për dëbimin e tij, së bashku me bashkëshorten dhe tre bashkëpunëtorë të tjerë, u ndërmor nga autoritetet malazeze për arsye të sigurisë kombëtare dhe të brendshme.
Shtetasit rusë u ndaluan të premten, më 9 tetor, në territorin e komunës së Kotorrit. Gjatë kontrollit, autoritetet konfiskuan pajisje digjitale, përfshirë dronë, kamera dhe telefona, të cilat po i nënshtrohen ekspertizës për të përcaktuar qëllimin e përdorimit të tyre. Pas ndalimit, grupi udhëtoi nga Podgorica drejt Beogradit dhe më pas u kthye në Moskë. Zvinchuk deklaroi se në kthimin e tij u angazhuan institucionet shtetërore ruse, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Para mbërritjes në Malin e Zi, Zvinchuk kishte qëndruar në Serbi dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, ku dyshohet se po xhironte dokumentarë mbi marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ballkanit. Nga kanali Rybar pretenduan se qëndrimi i tyre ishte i ligjshëm dhe se kishin dorëzuar kërkesë zyrtare për të xhiruar në Manastirin e Cetinës.
Rreth rrjetit Rybar
Rybar u themelua në vitin 2018 nga Zvinchuk, ish-punonjës i shërbimit për shtyp në Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Kanali njihet për mbështetjen e luftës në Ukrainë dhe propagandën proruse. Zvinchuk është subjekt i sanksioneve të Bashkimit Evropian që nga viti 2023. Gjithashtu, Departamenti amerikan i Shtetit ka ofruar një shpërblim deri në 10 milionë dollarë në vitin 2024 për informacione mbi personat e lidhur me këtë rrjet, për shkak të dyshimeve mbi përfshirjen në operacione të ndikimit të huaj dhe luftës informative.