Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) njoftoi se deficiti tregtar i Kosovës në shtator 2026 arriti në 534 milionë euro, krahasuar me 520,5 milionë euro në të njëjtin muaj të vitit 2025. Kjo përbën rritje prej 2,6 për qind. Eksportet e mallrave kapën vlerën 109,4 milionë euro, ndërsa importet 643,4 milionë euro. Eksportet mbuluan 17 për qind të importeve.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, eksportet u rritën me 27,5 për qind, ndërsa importet me 6,1 për qind. Në strukturën e eksporteve, metalet bazë dhe artikujt prej tyre përbënin 24,3 për qind, produktet minerale 17,1 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre 10,3 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani 10,1 për qind, ndërsa artikujt e ndryshëm të prodhuar 6,9 për qind.
Në importe, pjesën më të madhe e kishin produktet minerale, me 19,8 për qind. Ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani përbënin 11,8 për qind, mjetet e transportit 11,2 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike 11,1 për qind, ndërsa metalet bazë dhe artikujt prej tyre 10,1 për qind.
Tregtia me Bashkimin Evropian
Eksportet drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 34,2 milionë euro, ose 31,3 për qind të eksporteve të përgjithshme, me rritje vjetore prej 22,1 për qind. Partnerët kryesorë të eksportit në këtë grup ishin Gjermania, me 9,8 për qind të eksporteve të përgjithshme, Holanda me 2,7 për qind dhe Bullgaria me 2,3 për qind. Importet nga BE-ja arritën në 281 milionë euro, ose 43,7 për qind të importeve, duke u rritur me 12,7 për qind. Gjermania përbënte 12,5 për qind të importeve të përgjithshme, Greqia 6,5 për qind dhe Italia 4,4 për qind.
Tregtia me CEFTA-n dhe vendet e tjera
Vendet e CEFTA-s përbënin grupin kryesor të destinacioneve të eksporteve: 55,6 milionë euro, ose 50,8 për qind të totalit, me rritje prej 36,8 për qind. Shqipëria përbënte 25,3 për qind të eksporteve të përgjithshme, Maqedonia e Veriut 13,9 për qind, Mali i Zi 5 për qind dhe Serbia 4,5 për qind. Importet nga CEFTA arritën në 86,7 milionë euro, ose 13,5 për qind të totalit, me rënie prej 1,2 për qind. Maqedonia e Veriut zinte 6,2 për qind të importeve të përgjithshme, ndërsa Shqipëria dhe Serbia nga 3 për qind.
Eksportet drejt vendeve të tjera arritën në 19,6 milionë euro, ose 17,9 për qind të totalit. Partnerët kryesorë ishin Zvicra, me 8 për qind, dhe Turqia, me 3,6 për qind. Importet nga ky grup arritën në 275,7 milionë euro, ose 42,8 për qind të totalit. Kina përbënte 15,2 për qind të importeve të përgjithshme dhe Turqia 10,5 për qind.