Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deklaroi se partia e saj respekton gjithmonë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe do të presë vendimin përfundimtar për dekretin e presidentes Vjosa Osmani lidhur me shpërndarjen e Kuvendit.
Në emisionin "Five" të TV Dukagjinit, ajo theksoi se ekspertët kushtetues të PDK-së e kanë konsideruar të drejtë dekretin. Sipas saj, në Kuvend janë shterur të gjitha mundësitë për zgjedhjen e presidentit, çka ka çuar drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rrethanat e krijuara.
Deliu-Kodra shtoi se PDK nuk ka qenë e interesuar për zgjedhje të reja dhe ka tentuar të kontribuojë për një zgjidhje politike që t'i shmangte ato. Ajo e fajësoi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për përgjegjësinë e kësaj situate.
Kjo vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të Osmanit. Masa ndalon çdo veprim nga presidentja dhe Kuvendi, për të parandaluar dëme të pariparueshme ndaj rendit kushtetues dhe funksionimit demokratik të institucioneve.
Situata buron nga seanca e 5 marsit në Kuvend për zgjedhjen e presidentit, e cila u ndërpre për mungesë kuorumi pas braktisjes nga partitë opozitare. Një ditë më pas, presidentja Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe nisi konsultimet me partitë për datën e zgjedhjeve të parakohshme.