Demokratët në Shtetet e Bashkuara po përgatiten të paraqesin nisma ligjore për rregullimin e inteligjencës artificiale dhe zhvillimin e qendrave të të dhënave, pasi të marrin kontrollin e Kongresit amerikan në janar. Sipas ligjvënësve, këshilltarëve të Kongresit dhe përfaqësuesve të organizatave që mbështesin nismat, synimi është të rritet mbrojtja e konsumatorëve dhe të kontrollohen më mirë rreziqet që sjell përdorimi i kësaj teknologjie.
Planet shënojnë ndryshim nga qasja e Kongresit të drejtuar nga republikanët, i cili është përqendruar kryesisht në nxitjen e zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe nuk ka miratuar ligje për kufizimin e përdorimit të saj. Shqetësimet për zgjerimin e qendrave të të dhënave lidhen veçanërisht me konsumin e lartë të energjisë dhe ndikimin e mundshëm në faturat e energjisë elektrike.
Demokratët synojnë të propozojnë ligje që kompanitë të mos ua kalojnë konsumatorëve kostot shtesë të energjisë që lidhen me funksionimin e qendrave të të dhënave. Ata kërkojnë gjithashtu testime të pavarura për sistemet më të avancuara të inteligjencës artificiale dhe përcaktim më të qartë të përgjegjësisë ligjore të kompanive kur produktet e tyre shkaktojnë dëme.
Miratimi i nismave mund të jetë i vështirë për sa kohë Donald Trump është president. Ai ka kundërshtuar rregullat detyruese për inteligjencën artificiale. Të premten, Trump tha se do të bashkëpunojë me shtetet amerikane që synojnë të pasurohen përmes zhvillimit të kësaj teknologjie, pa dhënë hollësi të tjera.
Demokratët thonë se kontrolli i komisioneve të Kongresit do t’u mundësojë të çojnë përpara propozimet, të thërrasin drejtues të kompanive teknologjike në seanca dëgjimore dhe të kërkojnë llogari për mënyrën se si zhvillohen e përdoren sistemet. Kongresmeni demokrat nga Teksasi, Greg Casar, ka kërkuar që drejtuesit e kompanive të teknologjisë të dëshmojnë nën betim.
Senatori Chuck Schumer, i cili pritet të marrë drejtimin e shumicës demokrate në Senat, tha se mbrojtja e konsumatorëve nga rritja e kostove të energjisë, si pasojë e zgjerimit të qendrave të të dhënave, do të jetë një nga përparësitë e partisë vitin e ardhshëm.
Kongresmenia Lori Trahan planifikon të propozojë vlerësimin e modeleve kryesore të inteligjencës artificiale nga ekspertë të pavarur, për të verifikuar nëse përmbushin standardet e sigurisë. Ajo synon gjithashtu të qartësojë përgjegjësinë e kompanive kur sistemet e tyre shkaktojnë dëme. Zoe Lofgren, e cila synon të drejtojë Komisionin e Shkencës në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se demokratët do të përqendrohen te hartimi i rregullave të përgjegjshme, pa penguar zhvillimin dhe inovacionin. Abdul El-Sayed, demokrat nga Miçigani i zgjedhur në Senat të martën, ka propozuar krijimin e një agjencie të pavarur për mbikëqyrjen e teknologjisë, me kompetenca për të kontrolluar kompanitë.
Sipas sondazhit të Reuters të publikuar në tetor, shumica e votuesve amerikanë mendojnë se administrata Trump dhe Kongresi nuk po i marrin mjaftueshëm seriozisht rreziqet e inteligjencës artificiale dhe mbështesin miratimin e rregullave të reja.
Demokratët planifikojnë të shtojnë mbikëqyrjen ndaj OpenAI, Anthropic, Meta, Google dhe SpaceX. Në tetor, Lofgren dhe drejtues të tjerë demokratë të komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve u kërkuan kompanive të dhëna për praktikat e sigurisë dhe rastet kur sistemet kishin vepruar në mënyra të paparashikuara.
Sipas Reuters, shqetësimet janë pasqyruar edhe në tregjet financiare. Aksionet e kompanive të teknologjisë ranë të enjten, mes frikës se Kongresi i ri mund të ngadalësojë industrinë dhe dyshimeve nëse investimet e mëdha në infrastrukturën e inteligjencës artificiale do të sjellin fitimet e pritshme. Analistët vlerësojnë se një krizë e lidhur me këtë teknologji mund të shtojë presionin publik për miratimin e ligjeve. Ed Mills, përgjegjës për kërkimet mbi politikat në Raymond James, tha se mundësia e miratimit të legjislacionit është më e madhe nga sa mendohet.