Dy automjete zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, të përdorura nga Inspektorati Shtetëror i Tregut në Tetovë, u dëmtuan nga një person i panjohur më 31 tetor. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e personit përgjegjës.
Sipas njoftimit të SPB-së Tetovë, dëmtimin e denoncoi në orën 23:35 një 45-vjeçar nga fshati Xhepçisht, i punësuar në objektin e Inspektoratit të Tregut në rrugën “Boris Kidriç”. Sipas denoncimit, rreth orës 22:40, ai kishte parë një person të panjohur duke hipur mbi dy veturat zyrtare të markës Peugeot, me targa të Shkupit.
Gjatë veprimit, personi theu xhamin e pasmë të njërës veturë dhe dëmtoi fshirësen e xhamit të pasmë të automjetit tjetër. Më pas, u largua nga vendi i ngjarjes.
Policia kreu këqyrjen në vendngjarje dhe po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personit përgjegjës.