Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë shpalli sot vendimin ndaj Kadri Xhemajlit, i cili u akuzua për veprën penale “Kanosja”, sipas nenit 181, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Speciale akuzoi të pandehurin se më 22 tetor 2025, përmes një komenti në rrjetin social Facebook, kishte kërcënuar kryeministrin Albin Kurti me privim nga jeta, duke shkruar: “Ah Albin e meriton me ja shpue kryt po nejse i vjen reni edhe ati”.
Në seancën gjyqësore të mbajtur më 21 gusht 2026, gjyqtari i çështjes Rrahman Beqiri konstatoi se i dëmtuari, kryeministri Albin Kurti, ndonëse kishte pranuar ftesën, nuk ishte paraqitur në seancë dhe nuk e kishte arsyetuar mungesën. Gjykata miratoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë të lidhur ndërmjet Prokurorisë Speciale, përfaqësuar nga prokurori Bekim Kodraliu, dhe të akuzuarit, së bashku me mbrojtësin e tij, avokatin Rinor Arifi.
Megjithëse marrëveshja e arritur parashikonte një rekomandim për dënim me një vit burgim me kusht dhe periudhë verifikuese prej tre vjetësh, trupi gjykues vendosi të mos e miratojë këtë masë lidhur me lartësinë e dënimit. Në vend të saj, gjykata shqiptoi një dënim prej gjashtë muajsh burgim efektiv. I pandehuri ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi për sa i përket lartësisë së dënimit të shqiptuar.
Përditësime
Gjykata Themelore në Prishtinë ka saktësuar obligimet financiare dhe afatin për ekzekutimin e dënimit për Kadri Xhemajlin. I dënuari duhet të nisë vuajtjen e dënimit prej 6 muajsh burgim brenda 30 ditëve nga data e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Gjykata e ka obliguar atë të paguajë 200 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe 100 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
I pandehuri Kadri Xhemajli shprehu pendesë për veprimet e tij gjatë seancës gjyqësore. Gjykata Themelore në Prishtinë konfirmoi zyrtarisht se marrëveshja për pranimin e fajësisë për kanosjen e kryeministrit Albin Kurti ishte vullnetare dhe në përputhje me procedurat ligjore. Dokumentet gjyqësore saktësojnë se komentet kërcënuese në rrjetin social Facebook ishin publikuar më 22 tetor 2025.