Gratë dhe vajzat deputete të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kanë reaguar ashpër pas incidentit të rëndë të ndodhur në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. Sipas deklaratës së tyre, deputeti Agron Shehaj, kryetar i partisë "Mundësia", ka marrë me forcë një dokument të klasifikuar që lidhej me një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është larguar me vrap nga zyra.
Gjatë përpjekjes për të ndaluar deputetin dhe për të kryer detyrën e saj, një këshilltare e administratës së Kuvendit është rrëzuar nga shkallët. Deputetet socialiste bënë të ditur se punonjësja ka mbetur e lënduar dhe aktualisht ndodhet e shtruar në spital, duke theksuar se deputeti Shehaj nuk është ndalur për t’i ofruar ndihmë.
Në reagimin e tyre, deputetet e Partisë Socialiste e cilësuan ngjarjen si një shfaqje të mizogjinisë, dhunë në vendin e punës ndaj një punonjëseje publike dhe shkelje të detyrimeve që rrjedhin nga mandati i deputetit. Ato nënvizuan se veprimet e deputetit përbëjnë një akt të papranueshëm ndaj një gruaje që po zbatonte detyrën e saj ligjore.
Grupi i grave deputete të PS-së ka kërkuar zyrtarisht:
• Hetim penal për ngjarjen dhe marrjen e masave disiplinore nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën.
• Një falje publike, pa kushte, nga Agron Shehaj drejtuar këshilltares së lënduar.
• Mbrojtje institucionale për punonjëset e administratës së Kuvendit, të cilat deputetet i cilësuan si "kolonat që mbajnë institucionin".
Deputetet theksuan se dëmtimi i punonjëses nuk do të kalojë si një episod i parëndësishëm në kronikën e ditës. Ato bënë thirrje që asnjë kauzë politike nuk mund të shërbejë si justifikim për mospërfilljen e integritetit fizik të punonjësve të administratës dhe se dinjiteti i grave në institucionet shtetërore duhet të jetë i pacenueshëm.