Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Beratit, Fadil Nasufi, ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me projektin për hartën e re administrativo-territoriale gjatë seancës në Kuvend. Ai theksoi se ka ndjekur me vëmendje reagimet dhe kundërshtimet e banorëve të bashkive Dimal dhe Poliçan, të cilat parashikohen t'i bashkohen bashkisë Berat.
Nasufi deklaroi se pritshmëritë e tij për këtë reformë ishin të ndryshme, duke argumentuar se organizimi i pushtetit vendor duhej të ndërtohej mbi bazën e bashkive metropolitane ose kufijve të ish-rretheve. Deputeti ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e zbatimit të kritereve për bashkimin e njësive, duke u shprehur se nuk e kundërshton parimisht bashkimin e Dimalit me Beratin, por kërkoi shpjegime pse procesi nuk është shtrirë edhe te bashki të tjera me tipologji të ngjashme.
"Unë nuk e kam pse bashkohet Dimali me Beratin, por pse nuk bashkohen edhe bashki të tjera të një tipologjie, ndoshta edhe më të ulët se Dimali, si Roskoveci, Kuçova, Delvina etj", u shpreh ai.
Megjithëse pranoi se vendimi sjell zhgënjim te një pjesë e qytetarëve, Fadil Nasufi konfirmoi votën e tij pro draftit. "Gjithsesi unë e votoj këtë draft, edhe pse marr mbrapsht shije të hidhur e zhgënjim të shumë banorëve që nuk janë dakord me këtë hartë administrative", theksoi deputeti socialist në fjalën e tij.