Gjatë seancës së kësaj të hëne në GjKKO, Tetis Lubonja dëshmoi në lidhje me procedurat e kthimit të pronave për kompleksin Partizani. Lubonja, e cila ka mbajtur detyrën e përgjegjëses juridike në Agjencinë e Kthimit të Pronave gjatë vitit 2006 dhe 2007, shpjegoi përpara trupës gjykuese se detyrat i merrte nga eprorët e saj.
Lidhur me përshpejtimin e shqyrtimit të dosjes, Lubonja konfirmoi se ajo ishte një ndër çështjet që duhej punuar me prioritet. Procedurat për pesë familjet pronare filluan më 17 janar 2007 dhe u përmbyllën për një periudhë prej rreth dy muajsh. Dëshmitarja theksoi se procesi u zhvillua përmes dy sektorëve, atij juridik dhe grafik, duke pohuar se: “Kam zbatuar ligjin dhe kam ndjekur të gjitha procedurat. Këto territore kanë qenë të njohura si prona të ish-pronarëve”.
Në lidhje me akuzat për ndikim, ajo mohoi të ketë pasur presion nga ish-pronarët. Lidhur me marrëdhëniet personale, Lubonja pranoi njohjen me Jamarbër Malltezin, pasi kanë qenë moshatarë dhe kanë ndarë aktivitete të përbashkëta, por deklaroi se me ish-kryeministrin Sali Berisha nuk ka pasur asnjë kontakt përtej ndjekjes së tij në media. Ajo bëri me dije gjithashtu se pas përfundimit të detyrës në Agjenci, ka punuar për 6 muaj me kohë të pjesshme pranë kompanisë Kontakt, e cila është ndërtuese e godinave në atë zonë.
Në seancë u vu re se prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, nuk drejtuan pyetje shtesë për dëshmitaren mbi urdhrin e eprorëve për prioritizimin e dosjes, pavarësisht pretendimit të SPAK se trajtimi i këtyre kërkesave ishte bërë me shpejtësi të pajustifikuar në krahasim me qytetarët e tjerë.