Takimi ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje. Pas bisedimeve që zgjatën dy orë, Abdixhiku njoftoi se palët mbeten larg një dakordimi për formimin e institucioneve të reja.
Sipas kreut të LDK-së, një ndër pikat kryesore të mosmarrëveshjes është çështja e postit të presidentit. Abdixhiku konfirmoi se LDK ka kërkuar që kandidati për president të propozohet nga radhët e kësaj partie, kërkesë e cila nuk ka gjetur mbështetjen e Kurtit. Ai theksoi se pa një balancë institucionale, marrëveshja politike mbetet e pamundur.
“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshjeje eventuale. Për LDK dhe mua nuk ka asnjë arsye të vonohet konstituimi dhe të zgjidhet kryetari e kryesia. Sot duhet të ketë seancë. Është përgjegjësi e partisë së parë”, deklaroi Abdixhiku pas takimit.
Ai shtoi se vonesat e mëtejshme vetëm sa e vështirësojnë procesin e arritjes së një pajtimi. Ndërsa vlerësoi se thirrja e zgjedhjeve të reja është një rrugë e lehtë, ai nënvizoi se qëllimi i tij mbetet gjetja e një zgjidhjeje institucionale, pavarësisht faktit se aktualisht situata ndodhet në një pikë pa dalje.