Ajatollah Ali Khamenei, 86-vjeçar, u vra në një sulm ajror izraelit pranë Rrugës Pasteur në Teheran të shtunën, sipas detajeve të zbardhura nga Financial Times.
Kur truprojët dhe shoferët e zyrtarëve të lartë iranianë mbërritën në punë pranë kësaj rruge, izraelitët po i vëzhgonin prej kohësh. Pothuajse të gjitha kamerat e trafikut në Teheran ishin hakuar prej vitesh. Pamjet e tyre enkriptoheshin dhe transmetoheshin në serverë në Tel Aviv dhe në jug të Izraelit, sipas dy personave të njohur me operacionin.
Një kamerë kishte një kënd veçanërisht të dobishëm, që lejonte përcaktimin e vendeve ku rojet parkonin makinat personale dhe ofronte pamje të kompleksit të ruajtur rreptësisht. Algoritme komplekse plotësonin dosjet me detaje si adresat, oraret e punës, rrugët e përdorura dhe personat që mbronin, duke krijuar atë që oficerët e inteligjencës e quajnë "model jete".
Këto të dhëna reale ishin pjesë e një fushate shumëvjeçare inteligjence që përgatiti terrenin për vrasjen. Izraeli dhe CIA përcaktuan saktësisht orën kur Khamenei do të ishte në zyrë dhe kush do ta shoqëronte. Gjithashtu, Izraeli ndërpreu funksionimin e disa komponentëve të mbi 10 kullave të telefonisë mobile pranë Rrugës Pasteur, duke bërë që telefonat të dukeshin të zënë dhe duke penguar paralajmërimet për ekipin e mbrojtjes.
"Shumë kohë përpara se të binin bombat, ne e njihnim Teheranin siç njohim Jerusalemin", tha një zyrtar izraelit.