Koncerti i reperit amerikan Kanye West, i njohur edhe me emrin skenik Ye, i zhvilluar në Tiranë, ka ngjallur debate të forta lidhur me financimin nga buxheti i shtetit. Sipas revistës gjermane Die ZEIT, autoritetet shqiptare kanë shpenzuar 4.2 milionë euro për të mundësuar këtë event, ndërsa shuma dyshohet se ka shkuar për një kompani gjermane të ngarkuar me organizimin.
Organizatori i eventit, Klodian Makashi, shpjegoi se përgatitjet ishin tejet sfiduese, duke kërkuar ndërtimin e një stadiumi të përkohshëm të njohur si "Eagle Stadium". Ai tregoi se pas vështirësive logjistike dhe financiare të kompanisë organizatore, qeveria shqiptare ndërhyri për të mbështetur projektin. Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur këtë vendim, duke e konsideruar shumën si një mjet për mbrojtjen e ekonomisë dhe promovimin global të Shqipërisë.
Përfaqësues të qeverisë, përfshirë Blendi Gonxhja, sqaruan se fondet nuk ishin marrë nga rezervat e emergjencës, por nga fondi rezervë i shtetit. Përpara zhvillimit të koncertit, në opinionin publik qarkulluan pretendime lidhur me biletat e pashitura dhe shpërndarjen e tyre pa pagesë. Gjithashtu, u konfirmua se qeveria dërgoi një letër ftesë zyrtare për artistin, një kërkesë kjo e menaxhmentit të Kanye West.
Pas përfundimit të koncertit, Kanye West shprehu mirënjohjen ndaj kryeministrit Edi Rama dhe popullit shqiptar për mikpritjen. Kryeministri gjithashtu publikoi pamje nga stadiumi dhe konfirmoi se vizita e artistit u shfrytëzua për marketing ndërkombëtar.