Dhoma e Avokatisë Sarandë kritikoi publikimin nga kryeministri Edi Rama të fotografive të personave protestues, mes tyre edhe studentë, të shoqëruara me pretendime për përfshirjen e tyre në vepra penale. Në deklaratën e firmosur nga kryetari i Dhomës, avokati Rigels Dervishi, thuhet se kjo praktikë rrezikon të cenojë të drejtat themelore të individëve.
Sipas Dhomës, ekspozimi publik i individëve duke i lidhur fotografitë e tyre me akuza penale bie ndesh me frymën e legjislacionit vendas dhe standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të afirmuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Ajo renditi si të drejta që mund të cenohen prezumimin e pafajësisë, dinjitetin, jetën private dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Deklarata thekson se edhe kur një person është dënuar me vendim të formës së prerë, ky fakt nuk përligj çdo formë ekspozimi apo stigmatizimi publik. Sipas Dhomës, rendi juridik njeh rehabilitimin dhe synon riintegrimin shoqëror të personave të dënuar, jo ndëshkimin e tyre të përhershëm përmes etiketimit publik.
Dhoma e krahasoi praktikën me “fletërrufetë” e së kaluarës, përmes të cilave, sipas saj, paraardhësit politikë të kryeministrit ekspozonin dhe stigmatizonin individë, përfshirë të rinj. Në deklaratë thuhet se rikthimi i kësaj fryme është i papranueshëm në një shoqëri demokratike.
Në përfundim, Dhoma kërkoi ndërprerjen e praktikës dhe respektimin e të drejtave themelore të çdo individi. Ajo i kujtoi kryeministrit përgjegjësinë institucionale për garantimin e këtyre të drejtave dhe i kërkoi të shmangë përdorimin e autoritetit publik për etiketimin dhe denigrimin e qytetarëve.