Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Holandë, kanë reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, të bëra në takimin e parë të Bordit të Paqes më 19 shkurt. Në përgjigje ndaj interesimit të MCN TV, ato kanë deklaruar se nuk komentojnë deklaratat e figurave politike.
Reagimi zyrtar është: “Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të siguruar gjyqe të drejta, të paanshme dhe të sigurta. Ne nuk komentojmë deklaratat e bëra nga figura politike ose figura të tjera."
Gjatë fjalimit në Bordin e Paqes, kryeministri Rama u ndal te procesi gjyqësor në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, midis të cilëve ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ai theksoi se Thaçi u arrestua pak përpara se të nisej në Uashington, ku pritej të nënshruhej marrëveshja me Serbinë e propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas Ramës, arrestimi u bë nga prokurori Jack Smith, i cili përndoqi edhe vetë Trump-in dhe fitoi famë botërisht për këtë. Kryeministri vlerësoi se Gjykata e Hagës ka dështuar në çdo hap për t’u përmbajtur standardeve të drejtësisë demokratike. Ai iu drejtua presidentit amerikan: “le të bëjmë diçka përpara se, siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish.”