Pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur më shumë se tre vite dhe ka përfshirë 234 ditë seanca, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të japin vendimin e shkallës së parë për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Seanca për shpalljen e aktgjykimit është caktuar për të mërkurën, më 16 shtator 2026, në orën 10:00.
Trupi Gjykues II, i cili ka zhvilluar procesin, përbëhet nga gjyqtarët Charles L. Smith III (kryesues), Christoph Barthe dhe Guénaël Mettraux. Gjyqtari irlandez Fergal Gaynor është caktuar si gjyqtar rezervë dhe nuk merr pjesë në votim, përveç rasteve të zëvendësimit të ndonjërit prej gjyqtarëve të rregullt. Vendimi për secilën prej dhjetë pikave të aktakuzës do të merret me shumicë votash.
Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime kundër njerëzimit (6 pika) dhe krime lufte (4 pika), të kryera në periudhën nga marsi 1998 deri në shtator 1999, në lokacione të ndryshme në Kosovë, si dhe në Kukës e Cahan të Shqipërisë. Akuzat përfshijnë përndjekjen, burgosjen, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë dhe trajtimin mizor. Të akuzuarit, të cilët ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, janë deklaruar të pafajshëm. Gjatë këtij procesi kanë dëshmuar gjithsej 134 persona.
Paralelisht, më 14 shtator 2026, gjykatësi Christopher Gosnell mbylli procesin gjyqësor në rastin e pengimit të drejtësisë, ku akuzohen Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi. Ky proces, i filluar në dhjetor të vitit 2024, ka si objekt pretendimet për ndikim te dëshmitarët në rastin kryesor dhe pritet marrja e vendimit nga gjykatësi Gosnell.