Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) ka kundërshtuar planin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për realizimin e fazës së dytë të liberalizimit të tregut të energjisë, e cila parashihet të nisë në muajin prill.
Në reagimin e saj, DHTIK thekson se forma e zgjedhur për liberalizim është e gabuar, e ndërmarrë pa analiza paraprake, me mungesë mekanizmash kontrollues dhe shkelje të vërtetuara nga Gjykata Supreme e Kosovës.
Sipas DHTIK-ut, kompanitë që hynë në liberalizim vitin e kaluar u përballën me fatura deri në trefish më të larta, reduktime të ashpra të furnizimit dhe dëme të mëdha financiare e operacionale. Këto pasoja rrezikojnë qëndrueshmërinë e bizneseve dhe vendet e punës.
DHTIK u referohet të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat konfirmojnë rritjen e çmimeve dhe të kostos së prodhimit, që kanë ndikuar në rritjen e importit.
DHTIK i bën thirrje Kuvendit të Kosovës dhe komisioneve përkatëse të marrin masa të shpejta për të ndaluar fazën e dytë dhe për të mbajtur përgjegjës akterët e sektorit të energjisë, para se pasojat të bëhen të parikuperueshme.