Mesfushori Dion Kacuri ka vendosur zyrtarisht të përfaqësojë Kosovën në nivel ndërkombëtar, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së përzgjedhësit Franco Foda. Futbollisti 22-vjeçar, i cili aktualisht është i huazuar te skuadra austriake Austria Lustenau nga Baseli, është vlerësuar nga mediat si një nga talentet e spikatura në rolin e qendërmesfushorit, me mundësi aktivizimi edhe si mesfushor defansiv apo ofensiv.
Kacuri ka përfaqësuar më parë grupmoshat e Zvicrës (U18, U19, U20 dhe U21), ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te përfaqësuesja U21. Në mediat zvicerane, ai është vlerësuar shpesh për vizionin e lojës, duke u krahasuar shpesh me yllin Granit Xhaka.
Sipas të dhënave të platformës Transfermarkt, vlera e tregut për futbollistin llogaritet në 600 mijë euro. Përfaqësuesja e Kosovës pritet të shpallë listën zyrtare në fund të javës për ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku do të përballet me Austrinë (dy ndeshje), Irlandën dhe Izraelin.
Aventura e re për Kacurin do të nisë më 24 shtator në stadiumin Fadil Vokrri kundër Irlandës. Më pas, më 27 shtator ekipi do të udhëtojë në Austri, më 1 tetor do të luajë ndaj Izraelit në Hungari, ndërsa sfida e katërt do të zhvillohet më 4 tetor në Prishtinë sërish kundër Austrisë.