Në Prishtinë është zhvilluar ceremonia e diplomimit të 12 kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë përfunduar procesin katërvjeçar të studimeve akademike dhe ushtarake. Ngjarja bëri bashkë zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ushtruesen e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu dhe ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Gjatë fjalës së tij, Albin Kurti theksoi modernizimin e ushtrisë dhe përgatitjen profesionale të kuadrove të reja. Ai njoftoi se plani për mandatin e ardhshëm përfshin investime në vlerë prej 1 miliard euro në sektorin e mbrojtjes, ndërtimin e një fabrike për prodhimin e municioneve, si dhe rritjen e numrit të grave dhe vajzave pjesëtare në ushtri, me synim arritjen e shifrës prej 1 mijë të tilla.
Nga ana tjetër, Albulena Haxhiu vlerësoi përkushtimin e kadetëve dhe standardet e larta të arritura në Akademinë e Mbrojtjes. Ajo rikonfirmoi se orientimi strategjik i shtetit mbetet anëtarësimi në NATO, duke shtuar se FSK po zhvillon kapacitete profesionale në përputhje me standardet euroatlantike. Në ceremoni foli edhe majorja Mimoza Buteci, komandante e Qendrës për Studime Universitare, e cila u uroi suksese oficerëve të rinj në rrugëtimin e tyre për mbrojtjen e atdheut.