Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka zhvilluar një takim zyrtar me ambasadorin e Belgjikës në Kosovë, Arnaud Dusaucy. Takimi u realizua në kuadër të kontakteve të vazhdueshme që Schuebel zhvillon me përfaqësuesit diplomatikë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të njohura nën iniciativën #TeamEurope.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, fokusi i diskutimeve ishte mbështetja politike dhe financiare që Bashkimi Evropian dhe vendet e tij anëtare ofrojnë për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Pas takimit, ambasadori Schuebel përmes një postimi në rrjetin social "X" konfirmoi përkushtimin e vazhdueshëm ndaj vendit, duke deklaruar: "Ne vazhdojmë të qëndrojmë me Kosovën".