Në seancën e zhvilluar më 12 shkurt 2026 në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) për dosjen 'Plumbi i Artë', u zhvilluan diskutime mes të pandehurit Erion Alibej dhe të penduarit Henrik Hoxha.
Alibej e pyeti Hoxhën për mënyrën e komunikimit me Nuredin Dumanin lidhur me planin për vrasjen e Elton Kilës, të njohur si Oti Kila. Hoxha u shpreh se bisedën e parë e kishte zhvilluar gojarisht në Elbasan, para burgosjes së Alibejt dhe pas vrasjes së vëllezërve Haxhia, ndërsa herën e dytë e kishin diskutuar përmes aplikacionit.
Sa i përket motivit, Hoxha tha se Dumani kishte përmendur “një lidhje”, por nuk kishte dijeni të mëtejshme. Ai përsëriti: “Nuredini se ç’thoshte për një lidhje. S’e di mirë.”
Pjesë nga dialogu në seancë
- Alibej: Bisedën me Nuredinin për vrasjen e Oti Kilës e ke bërë gojarisht apo në aplikacion?
- Hoxha: E kam bërë gojarisht në Elbasan. Ka qenë para se të bije ti në burg. Ka qenë pas vrasjes së vëllezërve Haxhia. Herën e dytë, që u ndërmorën veprime, e kemi diskutuar në aplikacion.
- Alibej: Pse doja ta vrisja Oti Kilën, sipas Nuredinit?
- Hoxha: Nuredini se ç’thoshte për një lidhje. S’e di mirë.
Alibej përmendi edhe praninë e tij bashkë me Dumanin në bisedën në aplikacion për Sokol Sanxhaktarin, ku Hoxha u përgjigj se po përsëriste fjalët e Dumanit dhe e quajti atë “palaço”.
Gjithashtu, Alibej pyeti për një person që e kishte pritur Hoxhën në Elbasan me një automjet Mercedes C-Class gri, të cilin Skerdi Tasi e kishte identifikuar si kunatin e Alibejt. Hoxha mohoi ta njihte: “Jo, nuk e njoh.”